Ballina Lajme Rrëfimi i nënës nga Istogu që serbët ia vranë djalin 5-vjeçar

Rrëfimi i nënës nga Istogu që serbët ia vranë djalin 5-vjeçar

0
Lumnije Musaj rrëfen se si djali i saj pesëvjeçar Rinasi u vra nga një granatë e ushtrisë serbe derisa po dëbonin shqiptarët nga Kosova gjatë bombardimeve të NATO-s mbi ish-Jugosllavinë, 20 vjet më parë.

Natën e 24 marsit 1999, Lumnije Musaj e kishte vënë për herë të fundit në gjumë në shtratin e vet Rinasin 5 vjeçar, në shtëpinë e tyre në Mojstir  afër Istogut.

Bombardimet e NATO-s mbi Jugosllavinë kishin filluar atë mbrëmje dhe ajo, i shoqi dhe të tjerët nuk fjetën tërë natën.

Në mëngjes ajo dhe banorët tjerë shqiptarë të këtij fshati lanë shtëpitë e tyre duke u drejtuar për strehë në Shqipëri. Por ata vazhdimisht ishin mbajtur në disa vende deri më 5 prill kur i detyruan të ktheheshin sërish në shtëpi.

Gjatë fushatës 78 ditëshe të bombardimeve të NATO-s, lideri serb Sllobodan Millosheviç vazhdoi me këmbëngulje sulmin mbi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe vrasjen e shpërnguljen e civilëve nga shtëpitë e tyre.

Më 6 prill, ushtria jugosllave rrethoi Mojstirin, që para luftës ishte një një fshat etnikisht i përzier me banorë shqiptarë e serbë, duke granatuar shtëpitë ku ishin mbledhur familjet e mbetura shqiptare.

“Kur ra granata e parë vjehrri im vdiq në vend. Pastaj të tjerat goditën fëmijët, mua dhe të tjerët. E pashë që Rinasit i kishin dalë zorrët jashtë”, tregon Musaj për BIRN në shtëpinë e saj në Mojstir.

“I thashë kunatës merri fëmijët tjerë dhe përpiqu të ikësh malit. Unë me djalë le të vdesim këtu”, rrëfen ajo për ditën kur vdekja erdhi në fshat.

Derisa shumica e burrave nuk ishin aty, ushtarët kishin rrethuar vendin ku kishin mbetur një pjesë e grave dhe fëmijëve të plagosur që nuk kishin mundur të ikin në mal.

“Rinasi vetëm thërriste: “Oh mam, po më dhemb shumë”. I thoja kalon mam, po kalon. Përpiqesha ta marr në dorë. Granata e kishte bërë shoshë. Njëjtë ishte edhe fqinja jonë Ganimetja, në atë kohë 20 vjeçe”, tregon ajo.

Ajo ishte përpjekur të ecte zvarrë me djalin afër shpatit të malit, por nuk kishte mundur të lëvizte më nga plagët.

Ushtarët e kishin rrethuar vendin duke ngushtuar kordonin dhe vazhdoni n të gjuanin “nga të gjitha drejtimet”, tregon ajo.

Ajo nuk e mban mend mirë sa herë kishte humbur vetëdijen dhe ishte këndellur në agoninë e natës mes 6 dhe 7 prillit, por e mban mend se deri pas mesnate djali e thërriste të ëmën dhe të atin duke u thënë se nuk po shihte më.

“Dikur ai u ndal, nuk u dëgjua më”, rrëfen ajo.

Në mëngjes, ushtarët kishin marrë trupat e tre të vrarëve, Rinasit, gjyshit të tij dhe fqinjës dhe i kishte lënë në një shtëpi tjetër nën kontrollin e policisë dhe katër prej serbëve të armatosur të fshatit që gjithashtu i ishin bashkuar policisë.

“Njëri nga fqinjët tanë serbë, Obrad Bajnoviç erdhi dikur pasdite dhe më mori në shtëpinë e tij. Gruaja dhe nëna e tij përpiqeshin të m’i lidhnin plagët në këmbë dhe shpatull. Ata ndenjën zgjuar tërë natën duke u kujdesur për mua”, tregon ajo.

Të nesërmen policia kishte hyrë në shtëpinë e familjes Bajnoviç ku ajo ishte strehuar.

“Dy policë i bërtitën dhe e goditën Obradin duke e pyetur se pse e ke strehuar shqiptaren. Në momentin kur njëri gjuajti drejt meje ai (Obradi) e kapi automatikun duke e shtyrë dhe plumbat ranë në murin e dhomës. Vrimat e plumbave janë ende atje”, tregon ajo momentin kur për herë të dytë i kishte shpëtuar vrasjes.

“Ai ishte si një kukull e shqyer”

Musaj i kishte parë policinë tek po merrnin kufomat e djalit të saj, vjehrrit dhe fqinjës.

“Pasi i luta disa herë të mos i marrin trupat  ata dikur më thanë se do t’i lëmë nëse mund t’i varrosni për 1 orë”, rrëfen ajo.

Dy dekada pas, Musaj tani 48 vjeç, rrëfen se ishte një paradite me diell prilli kur u përpoq ta merrte në dorë për herë të fundit të birin e vdekur.

“Ishte si një kukull e grisur, i mbledhur kruspull. Gjaku i ishte tharë komplet në rroba, në fytyrë”, kujton ajo.

Ajo dhe dy gratë e tjera u detyruan që të tre të vrarët t’i varrosin në oborr.

“Të dy gratë e tjera mezi hapën nga një gropë të cekët dhe më shumë i mbuluan me dru dhe dushk se me dhé. Policia po rrinin në këmbë duke shikuar orën”, thotë ajo.

Musaj dhe gratë tjera nuk do të mund ta linin fshatin edhe gjashtë ditë të tjera derisa policia u tërhoq.

“Djalin e varrosa. Tre fëmijët tjerë dhe burri besoja se ishin vrarë gjithashtu. Kisha shumë dëshirë të më vrisnin edhe mua”, thotë ajo.

Pasi forcat policore ishin larguar nga fshati, i shoqi i saj Naimi dhe pesë fqinj të tjerë kishin mundur t’i tërheqin gratë në bjeshkë.

Për tri ditë të tjera ajo bëri një rrugëtim të vështirë duke u tërhequr zvarrë nëpër terrenin e thepisur të maleve në brezin kufitar deri në Malit të Zi.

Ata ishin në mesin e më shumë se një milion shqiptarëve që nga lufta u shpërngulën nga shtëpitë e tyre, shumë nga të cilët përfunduan në kampe refugjatësh në vendet fqinje, Mal të Zi, Shqipëri dhe Maqedoni derisa lufta mori fund në qershor 1999.

Një varr në oborr

Një gropë në këmbën e saj të majtë është një dëshmi e katër operacioneve të cilave ajo iu nënshtrua në përpjekje për ta shpëtuar këmbën nga amputimi.

Kur ajo përfundimisht u kthye në  shtëpi në korrik, shtëpia e saj ishte bërë shkrumb. Në oborr varret e djalit, vjehrrit dhe fqinjës mbetën edhe 6 muaj të tjerë derisa ekipet e Tribunalit të Hagës i kishin zhvarrosur.

“Nuk ka asgjë më të trishtueshme se varri i fëmijës në oborr. Të duket sikur çdo ditë të merr brenda vetes”, thotë ajo.

Ndërhyrja e NATO-s detyroi forcat e Milloshevi[it të tërhiqen nga  Kosova, duke i dhënë fund luftës në qershor të vitit 1999. Pasi Beogradi humbi kontrollin mbi Kosovë, fqinjët serbë të Musajve ishin larguar dhe shtëpitë e tyre u shkatërruan.

Familja Musaj ka përtërirë emrin e Rinasit duke ia lënë një fëmije që lindi dy vite më vonë. Këtë vit, më 20 gusht, Rinasi do të bëhej 25 vjeç.

“Ditëlindjet janë momentet më të vështira, shumë më të dhimbshme se përvjetorët e vrasjes. Edhe më të rënda janë momentet kur shoh moshatarët e tij”, thotë Musaj.

Për 20 vjet, askush nuk u dënua për këto vrasje. Drejtësia duket e pa arritshme dhe zemërimi i freskët.

“Kur e sheh fëmijën të copëtuar, zor se gjen diçka që ta shuan valën e mllefit që të vlon brenda”, thotë Lumnija.

Pak përtej, përballë shtëpisë, familja ka ngritur buzë rrugës një pllakë me fotografinë e djalit të gdhendur me një pyetje të thjeshtë therëse: “Çfarë ju bëri Rinasi i vogël që e ndatë nga lodrat?”

Loading...