Ballina M'THE T'THASH Rikthehet TNT me hitet e vjetra, projekte e solist të ri

Rikthehet TNT me hitet e vjetra, projekte e solist të ri

0
SHPERNDAJ
Një nga grupet që i dhanë e i falën për 45 vite publikut shqiptar hite të pavdekshme, bëri rikthimin e tij pikërisht mbrëmë. Në një event privat, organizuar nga Xheraldina Vula, grupi TNT erdhi fuqishëm, por kësaj here me një solist të ri.

Mes miqsh, mysafirësh e artistësh të njohur, grupi mitrovicas TNT që nisi rrugëtimin e tij të gjatë për katër dekada e gjysmë, iu kthye përsëri publikut të tij. Plot 30 këngë u kënduan live nga solisti më i ri i këtij grupi, Bekim Hallaqi, emër tashmë i njohur në skenën muzikore vendore, i cili në një intervistë për Indeksonline, tregoi se çka do të presim nga ta.

“Sonte u bë promovimi i rikthimit të grupit TNT, i cili është prit shumë mirë prej shumë njerëzve. Rikthim ky që u bë përmes një eventi të organizuar nga Xheraldina Vula, të cilën e falenderoj jashtëzakonisht shumë, e cila e ka marrë një përgjegjësi mjaftë të madhe. Sonte ishte vetëm rikthimi, ndërsa shumë shpejtë do të vijmë me një këngë. Me siguri do të jetë ndonjë bashkëpunim”, u shpreh ai.

Bekimi tha se TNT do ta mbajë frymën që e ka pas më herët, e për këtë pikërisht e kanë ftuar atë vokalist sepse e ka ngjyrën e cila i përshtatet këngëve të tyre.

“Përndryshe TNT do të ketë shumë risi, do të vjen me një ndryshim në teknologji, në inçizime, në ide të reja, do t’i përshtatet kohës. Këtë vit do të jemi aktiv përveç me projekte muzikore edhe me koncerte, ku tashmë kemi nisur edhe caktimin e datave”.

Marrë parasysh që TNT është njohur identifikuar me zërin e këngëtarit, Ferki Shala, solisti i ri i grupit thotë që të gjithë e kanë mirëpritur atë dhe që ka pasur shumë komente pozitive.

“Mesazhet pozitive që kam marrë ma kanë hequr frikën, pasi që për mua ka qenë sfiduese ta zëvendësoj Ferki Shalën, një këngëtar të jashtëzakonshëm, por besoj që do ta mirëpres edhe audienca dhe do të bëjmë këngë të mira për ta”.

Një tjetër anëtar i ri që i është bashkuar grupit është edhe pianisti i ri i talentuar shqiptar, Edon Ramadani.

Ndryshe, TNT është formuar në vitin 1974 dhe ka publikuar mbi 120 këngë, afro 60 hite, të cilat i mbijetuan kohës, duke u kënduar edhe sot. Grupi numëron gjithsej dhjetë albume /Indeksonline/

Loading...