Ballina Lajme Qeveria: Taksa nuk hiqet, Thaçi ka dhënë deklaratë politike

Qeveria: Taksa nuk hiqet, Thaçi ka dhënë deklaratë politike

0
SHPERNDAJ

Deklarata e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, për shqyrtimin e heqjes së tarifave ndaj Serbinë për të arritur një marrëveshje përfundimtare të paqes, ka nxitur reagime të shumta. Thaçi po konsiderohet t’i ketë përzier kompetencat që i takojnë me një thirrje të tillë. Zyrtarët e Qeverisë së Kosovës janë shprehur të habitur me reagimin e kreut të vendit. Madje ata kanë thënë se për të njëjtin qëndrim presidenti nuk është konsultuar fare me Qeverinë.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka paralajmëruar heqjen e taksës 100% ndaj produkteve serbe dhe atyre nga Bosnja dhe Hercegovina, por një veprim të tillë po e konsiderojnë si të pamundur zyrtarë të Qeverisë së Kosovës. Këshilltarët e kryeministrit në një përgjigje për gazetën “Zëri” kanë thënë se nuk e kanë kuptuar nëse një deklarim i tillë i të parit të vendit është bërë për t’i hyrë në qejf Serbisë.

Haki Shatri, këshilltar i kryeministrit, në një prononcim dhënë gazetës “Zëri” ka treguar se presidentit nuk i lejohet të marrë këtë vendim përderisa i njëjti mund të hiqet vetëm në rast se vendos Qeveria. “Sikur vendosja e taksës edhe heqja e saj i ka disa procedura ligjore. Secili institucion i ka kompetencat e ndara. Presidenti ka dhënë një deklaratë politike. Nuk e di a për konsum, a për t’i hyrë në qejf Serbisë ose Kosovës. Për t’u hequr taksa duhet një procedurë, dikush t’i propozojë Qeverisë. Qeveria e shqyrton, në mënyrën si e ka marrë vendimin mundet të revokohet. Pra, vendimi merret ose hiqet nga ata që e kanë marrë vendimin. Nuk mundet një institucion të marrë vendimin, tjetri ta largojë”, ka sqaruar Shatri.

Më tej ai ka shfaqur këmbëngulësinë e Qeverisë sa i përket këtij vendimi.
Shatri ka shtuar se taksa nuk do të hiqet derisa të plotësohen kushtet që Qeveria mendon se duhet plotësuar për ta larguar taksën. “Kjo i bie që Serbia të sillet korrekt, të na njohë si shtet. Pastaj mund të bëjmë tregti, qarkullim të lirë të mallrave, të njerëzve në bazë të parimeve ndërkombëtare dhe reciprocitetit. Përndryshe nuk hiqet derisa Serbia na shkel sovranitetin çdo ditë. Është e pamundur dhe e pavend të hiqet taksa. Deklarata e presidentit është politike. Nuk e di në çka është thirrur, me Qeverinë nuk është marrë vesh”, ka theksuar këshilltari i kryeministrit Haradinaj.

Qëndrime të ngjashme sikur kryeministri shfaqi para disa ditësh edhe ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala. Shala publikisht u zotua se taksa nuk do të hiqet, duke shtuar se Qeveria i ka pasur arsyet e veta kur ka vendosur taksën. Por, ministri Shala ka thënë se taksa do të hiqet vetëm nëse arrihet njohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia.

Loading...