Ballina Intervista Policia tregon për arrestimet, pas raportit të DASH-it për korrupsionin dhe trafikimin...

Policia tregon për arrestimet, pas raportit të DASH-it për korrupsionin dhe trafikimin me njerëz

0
SHPERNDAJ

Alarmi që e lëshoi Departamenti Amerikan i Shtetit për prezencën e korrupsionit në vend, duhet të jetë shqetësues, pasi nuk po flasim më vetëm për korrupsion ordiner, por për ndikimin e tij në zhvillimin dukurisë së trafikimit me njerëz. Gazeta Express publikon statistikat për 4 mujorin e parë të këtij viti për operacionet e kryera, dhe shifrat për përfshirje në vepra të tilla janë mjaftë alarmuese

Kosova po vlerësohet si vend burimi e destinacioni për viktimat e trafikimit me njerëz, të cilat përdoren në industrinë e seksit, si dhe në punë të detyruar. Me sa duket nuk po bëhet mjaftueshëm për luftimin e korrupsionit në Kosovë. Dimë që ky është njëri ndër kushtet që Kosova të pranohet në familjen evropiane.

Raporti i fundit i lëshuar nga Departamenti i Shtetit Amerikan, ngrit po këtë çështje; se si korrupsioni në Kosovë po krijon hapësirë që të zhvillohet trafikimi i njerëzve.

Pjesa më e madhe e viktimave të trafikimit për industrinë e seksit në Kosovë janë vajza, ndonëse grupet kriminale detyrojnë të prostituojnë gra nga Shqipëria, Moldavia, Rumania, Serbia dhe vende të tjera evropiane.

Raporti i DASH nxjerr në pah se gratë dhe vajzat janë viktima të trafikimit nëpër shtëpi private, apartamente, klube të natës dhe sallone masazhi. Fëmijët nga Kosova, Shqipëria dhe vendet tjera fqinje detyrohen në lypësi.

Trafikantët detyrojnë qytetarë të Kosovë në prostitucion dhe punë të detyruar gjithandej nëpër Evropë. Pjesëtarët e grupeve pakicë, romë, ashkali dhe egjiptas, janë viktima të trafikut për shërbime seksuale dhe lypësi të detyruar.

Policia e Kosovës në një përgjigje për Gazetën Express ka treguar se gjatë periudhës janar-maj të vitit 2018, kanë arrestuar gjithsej 95 persona që ndërlidhen me vepra të trafikimit me njerëz.

Kurse, në këtë periudhë kohore u arrestuan 54 persona që policia i identifikoi veçse merreshin me prostitucion.

“Sipas statistikave zyrtare pjesa me e madhe viktimat të trafikimit sipas formës se Shfrytëzim për prostitucion të të tjerëve janë nga Kosova dhe Shqipëria”, thuhet në përgjigjen e PK’së, për Express.

Por raporti i DASH, nuk la pa përmendur përfshirjen e zyrtarëve qeveritarë në këtë fushë. Ai thekson se korrupsioni qeveritar krijon mjedis që mundëson disa krime trafikimi.

“Disa oficerë policie, punonjës të ministrisë së punës dhe zyrtarë të tjerë qeveritar janë akuzuar dhe dënuar për krime të tilla”, thotë raporti i DASH’it.

Kurse, sa i përket punës për parandalimin e kësaj dukurie nga Qeveria e Kosovës, raporti thotë se ata nuk i plotësojnë standardet minimale për eliminimin e trafikimit, madje, Qeveria po bën përpjekje të dukshme për ta bëtë këtë.

Sa i përket drejtësisë lidhur me gjykimin e këtyre rasteve, Kosova kritikohet edhe në këtë pikë.

“Gjykatësit kanë shqiptuar dënime të lehta për trafikantët dhe prokurorët po i trajtojnë rastet e trafikimit si krime më të vogla. Qeveria shkurtoi fondet për strehimoret e Organizatave Joqeveritare duke bërë që njëra syresh të mbyllet përkohësisht”, thuhet në raportin e DASH’it.

Por, sipas raportit, gjykatësit vazhduan të shqiptojnë dënime nën minimumin prej 5 vjetësh heqje lirie: një trafikant u dënua me pesë vjet dhe një gjobë prej 5 mijë eurosh dhe 14 morën dënime nga 18 muaj deri në tre vjet e shtatë muaj heqje lirie.

Shtatë veta u dënuan me kusht dhe me gjoba që silleshin nga 600 deri në 3 mijë e 600 euro. Edhe të tej në gjykata janë 88 raste të mbetura nga e kaluara.

Në mars të këtij viti, përmes një operacioni policor në Prishtinë, Prizren dhe Pejë, u mbyllën gjithsej 63 lokale që shërbenin si sallone masazhi, të cilat kanë ofruar shërbime prostitucioni.

Aty, policia tregoi se kishin hasur në punëtore femra, të cilat ishin nën moshën 18 vjeçare, që kanë shërbyer në lokale të tilla.

Në nëntor të vitit të kaluar, Policia e Kosovës ka realizuar operacionin të quajtur “Vjeshta 2017”, ku ka arrestuar në tërësi 212 femra, shkruan Gazeta Express.

U identifikuan gjithsej 123 shtetase nga Shqipëria, 86 nga Kosova, 2 nga Maqedonia dhe një shtetase e Malit të Zi.

Raporti i 2018’s i Departamentit të Shtetit Amerikan i rekomandon Kosovës hetimin, ndjekjen dhe dënimin e fuqishëm të trafikantëve si dhe zyrtarëve të përfshirë dhe të shqiptojë dënime më të rrepta përfshirë edhe burgosjen; të emërojë prokurorë dhe gjykatës të posaçëm që do të merren me rastet e trafikimit dhe të sigurojë trajnimin e përgjegjësve për hetimin dhe ndjekjen e këtyre rasteve; të sigurojë fonde të përshtatshme për strehimoret e OJQ-ve; të ngrihen strehimore në komunat veriore për të ndihmuar viktimat e trafikimit në atë pjesë të vendit: të shtojë mbështetjen qeveritare për shërbimet e ri integrimit të viktimave etj./GazetaExpress/

Loading...