Ballina Lajme Pas taksës, Serbia e pesta si vend ku importon mallra Kosova

Pas taksës, Serbia e pesta si vend ku importon mallra Kosova

0
SHPERNDAJ

Qytetarët e Kosovës në vitin 2018 më së shumti kanë shpenzuar për karburante dhe duhan. Ndërsa vlera totale e mallrave që janë importuar në Kosovë kalon shifrën 3 miliardë euro

200 milionë euro janë shpenzuar për duhan, kurse rreth 400 milionë euro për lëndë djegëse.

Përveç këtyre produkteve, Kosova në vlerë të madhe ka importuar edhe automjete, produkte të hekurit dhe plastikës.

Zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci, në një intervistë për KosovaPress ka deklaruar se në vitin 2018 importi në Kosovë është rritur për 11.6 për qind krahasuar me vitin e kaluar.

“Këtë vit kemi parë një rritje të vlerave të importit, jo domosdoshmërish kemi parë rritje të sasisë, por kemi parë rritje të vlerës dhe kemi parë se në vitin 2017 kemi pasur rreth 2.7 miliardë import deri në fund të muajit nëntor, por në vitin 2018 kjo ka kaluar 3 miliardëshin dhe për momentin që jemi nëse krahasohet periudha mes vete atëherë kemi rritje prej 11.6 për qind… Origjinat janë të shumëllojshme realisht, kurse mallrat të cilat importohen më së shumti në Kosovë janë lëndët djegëse – karburantet, pastaj vijnë automjetet, plastika, produktet e hekurit, pra janë produkte industriale kryesisht. Gjithashtu edhe duhani ka një import shumë të madh. Mund të themi se lëndë djegëse gjatë këtij viti janë mbi 400 milionë karburante që i kanë shpenzuar kosovarët deri tani për furnizim, gjithashtu në aspektin e duhanit kemi mbledhur rreth 60 milionë euro duhan duke mos llogaritur edhe taksën prej 100 për qind që nënkupton se brenda këtij viti ne kemi shpenzuar rreth 200 milionë euro në duhan”, ka thënë ai.

Sipas Stavilecit deri me vendosjen e taksës, Serbia ka qenë vendi prej nga Kosova ka importuar më së shumti. Përgjatë këtij viti, në Kosovë mallra të shumta kanë hyrë edhe nga Gjermania, Turqia, Kina e Italia.

“Vendet kryesore prej të cilave ne importojmë deri në fund të muajit nëntor realisht vendi i parë ka qenë Serbia, por me aplikimin e masës mbrojtëse tani presim që në këta dy muaj statistika të ndryshojë, kurse statistikat pasqyrojnë edhe muajt kur nuk kemi pasur masën mbrojtëse, pastaj vjen Gjermani, Turqia, Kina, Italia. Pra me një përmbledhje më të thjeshtë mund të themi se janë vendet e CEFTA-së si dhe vendet e Unionit Evropian duke përfshirë edhe Azinë“, ka shtuar Stavileci.

Se importi nga Serbia ka rënë dukshëm e thonë edhe statistikat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës.

Shefi i Divizionit të Statistikave Ekonomike dhe Tregtisë se Jashtme në ASK, Ismail Sahiti, ka deklaruar se me vendosjen e taksës ndaj Serbisë dhe Bosnje Hercegovinës, Serbia është vendosur në vendin e pestë sa i takon importit, derisa më herët e ka qenë e para.

“Pas vendosjes së taksës importi me Serbinë ka rënë dukshëm, Serbia ka qenë vendi kryesor prej të cilit ka importuar Kosova pothuajse në të gjithë periudhën e pasluftës, ka marrë pjesë me rreth 15 për qind e importit të Kosovë ka qenë nga Serbia, ndërsa prej momentit të aplikimit të taksës duket një rënie e theksuar dhe për momentin vetëm 5.6 për qind të importit vjen nga Serbia. E ka humbur primatin prej vendit të parë ka kaluar në vend të pestë, kështu që për momentin në vendin e parë gjendet Turqia që merr pjesë 11 për qind, Gjermania 11 për qind, nga Kina me 10 për qind dhe nga Shqipëria me 7 për qind”, u shpreh ai.

Në anën tjetër hulumtuesja e Institutit GAP, Nora Jusufi ka dhënë disa shembuj se si vendi mund të bëhet konkurrent me vendet tjera me produkte që nuk kërkojnë shumë investime.

Sipas saj bizneset kosovare duhet të njoftohen për mënyrën se si të depërtojnë më lehtë në tregun ndërkombëtar.

“Nganjëherë edhe prodhuesit apo bizneset kosovare duhet të njoftohen për mundësi investimi apo krijime të fabrikave të ndryshme të cilat do të mund të jenë më konkurrente me vendet e tjera. Kemi gjetur disa informata shumë interesante për shembull 60 për qind hudhra vitin e kaluar janë importuar nga Kina dhe 99 për qind të rëmojcave janë importuar nga Kina, Kështu që janë dy produkte që shumë lehtë mund të kultivohen apo prodhohen në Kosovë dhe me qenë një mundësi e investimit të biznesmenëve kosovar”, ka shtuar Jusufi.

Përkundër, masës së vendosur nga Qeveria e Kosovës për Serbinë dhe Bosnje Hercegovinë, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi konsideron se duhet përkrahje më e madhe për bizneset vendore.

“Ne duhet me e pa mundësinë që t’i përkrahim sektorët ku ne mund të jemi konkurruese. E para është t’i identifikojmë këta sektorë, ta përmirësojmë politikën në përgjithësi në raport me tregun e punës duke lejuar edhe formalitet më shumë dhe në të njëjtën kohë edhe t’i adresojmë problemet që i ka tregu i punës në raport me shkathtësitë, ta ndërrojmë pak mënyrën se si e investojmë buxhetin përfshirë edhe pjesën e beneficioneve dhe të shohim mundësitë që t’i identifikojmë katër apo pesë produkte që mund të zëvendësohen nga vendet tjera”, ka thënë Rukiqi.

Loading...