Ballina Lajme Kush po e paguan rrymën e serbëve në veri?

Kush po e paguan rrymën e serbëve në veri?

0
SHPERNDAJ

Aktvendimi i një viti më parë i Gjykatës Themelore në Prishtinë ku ia ndalon Zyrës së Rregullatorit të Energjisë që në faturat e qytetarëve të mos përfshihen humbjet e energjisë elektrike në veriun e Mitrovicës ka sjell paqartësi se kush po i mbulon këto shpenzime tash e 15 muaj.

Deputetë të Kuvendit të Kosovës dhe zyra e Avokatit të Popullit shprehen të sigurt se qytetarët nuk paguajnë më, ndërkohë që deklarojnë se kanë informata se rrymën serbëve të veriut është duke ia paguar zyra e BE-së në Kosovë. Por këto informata janë mohuar nga këta të fundit.

 

 

Është Teuta Haxhiu nga radhët e AAK-së e cila tha se pagesat që qytetarët këndej urës së Ibrit kanë bërë deri më tani janë ndërprerë ndërsa ka informacione zyrtare nga ZRRE-ja se tash e 1 vit Bashkimi Evropian është duke i mbuluar ato shpenzime.

Sipas saj, faturimi i qytetarëve për vite të tëra  për humbjet në veri ka qenë padrejtësi e madhe.

“Deri në dhjetorin e vitit të kaluar sa kam informata dhe informatat i kam zyrtare nga zyrtarë të ZRRE-së, se nuk i kam nga dikush tjetër, në dhjetor të vitit të kaluar qeveria Haradinaj ka ndërpre financimin, pra ose thjesht me i dhënë taksa qytetarëve të cilët kanë shpenzuar dhe asnjëherë nuk kanë dhënë llogari dhe paguar për atë që kanë shpenzuar, rrymën. Në fakt unë kam biseduar me zyrtarë të ZRRE-së, që thash se më kanë thënë që pos qe nuk jemi duke paguar, me sa di unë janë duke u paguar prej BE-së duke u paguar ato të holl”, tha Haxhiu.

Njëjtë si Haxhiu mendojnë edhe nga zyra e Avokatit të Popullit, e cila e kishte paditur ZRRE-në pikërisht për këtë çështje.

Drejtoresha  e Departamentit për çështje Juridike në këtë zyrë,  Suzana Gashi u shpreh se kanë informacione jo të sigurta që Rrjeti Evropian i Energjisë është duke i paguar këto shpenzime.

Gashi thotë se  ndalja e faturimit të qytetarëve për humbjet në veri, nuk ka ardhur nga Qeveria e Kosovës, por nga vendimi i Gjykatës Themelore Të Prishtinës, i cili ka vendosur në favor të Avokatit të Popullit dhe duhet të respektohet.

“Gjykata Themelore në Prishtinë ka marr  një vendim në të cilin e ka obliguar ZRRE-në që të ndal praktika të tilla. Ky vendim pastaj është ankimuar nga ZRRE-ja në shkallë të tjera, por përsëri Avokatit të Popullit i është dhënë të drejtë. Zyrtarisht nuk kemi informata se aktualisht kush është duke i mbuluar, jo zyrtarisht sikur gjithë qytetarët e Kosovës që e kanë këtë informatë është se Rrjeti Evropian i Energjisë i mbulon këto shpenzime, nuk jemi shumë të sigurt. Por zyrtarisht është e sigurt që këto praktika janë ndal”, tha  Gashi.

Në anën tjetër pohimet e deputetes së AAK-së dhe zyrës së Avokatit të Popullit i hedhin poshtë nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.

Zyrtarë për informim të kësaj zyreje nëpërmjet një përgjigje elektronie kanë thënë se instrumenti për asistencë nuk mund të përdoret për t’i financuar shpenzimet e një ndërmarrje.

Sipas tyre, asistenca e BE-së është e dizajnuar për t’i ndihmuar përfituesit të përgatiten për integrim ne BE, bazuar në strategji afat-mesme sektoriale.

Ndërsa i është bërë thirrje Kosoës dhe Serbisë që të zbatohet marrëveshja e energjisë dhe marrëveshjet e tjera pa u vonuar më tepër.

“Instrumenti për asistencë para anëtarësimit (IPA) nuk mund të përdoret për t’i financuar shpenzimet e një ndërmarrjeje publike. Asistenca e BE-së është e dizajnuar për t’i ndihmuar përfituesit të përgatiten për integrim ne BE, bazuar në strategji afat-mesme sektoriale të cilat i kemi planifikuar dhe janë duke u zbatuar ne koordinim të afërt me autoritetet kosovare. Fokusi duhet te jetë ne zbatimin e marrëveshjes së energjisë si mënyra e vetme për të arritur një zgjidhje të qëndrueshme. BE pret që Kosova dhe Serbia t’i zbatojnë të gjithë marrëveshjet e arritura pa u vonuar me tepër.”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së BE-së në Kosovë.

Edhe Zyra e Rregullatorit për Energji, janë shprehur se nuk kanë informacione se humbjet në Mitrovicën e veriut po mbulohet nga nga BE-ja.

Zëdhënësja e këtij institucioni, Adelina Murtezaj-Bajrami përmes një përgjigje nëpërmjet postës elektronike ka thënë  se  prej vitit 2017 qytetarëve nuk iu janë faturuar kostot e humbjeve në veri, dhe për këtë sipas saj është vendosur që këto humbje mos të pranohen si pjesë e të hyrave.

“Menjëherë pas vendimit të përkohshëm të Gjykatës, në dhjetor të vitit 2017, ZRRE i ka udhëzuar operatorët e licencuar që mos të përfshinë në faturat e qytetarëve ndikimin e kostove të humbjeve të veriut. Po ashtu, edhe me vendimin e fundit të Bordit për të Hyrat e Lejuara Maksimale të operatorëve të Rregulluar, ka vendosur që humbjet e shkaktuara në veri të Vendit, të mos pranohen si pjesë e të Hyrave të Lejuara Maksimale. Pra, në çmimet e rregulluara të energjisë elektrike nuk përfshihen këto humbje dhe ZRRE nuk ka ndonjë informatë se këto humbje po mbulohen nga Bashkimi Evropian apo nga ndonjë subjekt tjetër”, ka thënë Murtezaj-Bajrami.

Por një informatë të ngjashme nuk e ka edhe deputetja nga Vetëvendosje.

Si anëtare e Komisionit Parlamentar për të Drejtat e Njeriut, ku është edhe deputetja Haxhiu, Saranda Bogujevci, thotë se zyrtarisht si komision nuk kanë asnjë informacion se kush është duke paguar për humbjet në veri të Mitrovicës.

“Zyrtarisht nuk kemi as edhe një informacion rreth borxhit që paguhet ana e BE-së. Kam kërkuar dhe nga komisioni që të marr të dhëna që në ndërkohë nëse kemi pasur diçka prapë, por nuk ka as edhe një njoftim zyrtar në këtë drejtim…nëse arrijmë të kuptojmë që Qeveria pretendon të mbuloj këtë borxh atëherë do të ketë reagim, pasi kjo është implikim direkt i buxhetit”, tha deputetja Bogujevci.

Nga Këshilli për Mbrojtjen të Drejtat dhe Liritë e Njeriut janë hedhur akuza të shumta drejt ZRRE-së duke konsideruar se kjo e fundit ka përgjegjësi penale për gjithë abuzimin që është bërë deri më tash me buxhetin e qytetarëve.

Drejtori i KMDLNJ Behxhet Shala  thotë se jo vetëm që nuk duhet t’iu faturohet qytetarëve humbjet në veri që ndodhin, mirëpo duhet të kompensohen për 15 vitet që i kanë mbuluar ato humbje pa qenë të vetëdijshëm.

Sa i përket se kush është duke paguar tash e 1 vit, ai tha se nuk kanë ndonjë informacion.

“ZRRE-ja në vend që të mbrojë interesin e konsumatorëve të cilët janë pagues të rregullt, të cilët kontribuoi dhe për rrogat e ZRRE-së, ai  ka dal gjithmonë në anën e KEK-ut, KEDS-it. Këtyre shpërdoruesve të buxhetit duke i amnistuar pagesat në një formë që janë bërë për serbët e veriut. ZRRE-ja ka përgjegjësi dhe penale për këtë abuzim që ka bërë me buxhetin e qytetarëve”, tha Shala.

Ndryshe, deri në dhjetor të vitit 2017, mos pagesa e energjisë elektrike të qytetarëve serbë të Mitrovicës së veriut iu ka faturuar qytetarëve të tjerë pagues të rregullt, e cila ka shkuar deri në 8 milionë euro në vit.

Loading...