Ballina Lajme Ftohet edhe një profil i lartë i UÇK-së për në Hagë

Ftohet edhe një profil i lartë i UÇK-së për në Hagë

0
SHPERNDAJ

Një tjetër profil i lartë i UÇK-së është ftuar për intervistim nga Zyra e Prokurorit të Specializuar për Kosovën. Burimet e Gazetës Express deri më tani kanë konfirmuar katër emra të thirrur nga Haga. Dy prej tyre, profil i lartë, ndërsa dy të tjerë ish-ushtarë të thjeshtë të UÇK-së, të gjithë emra të njohur për redaksinë.

Pos një ish-komandanti të UÇK-së, nga Prokuroria e Gjykatës Speciale do të intervistohet edhe një figurë tjetër e lartë e UÇK-së. Intervistimi i tij do të ndodhë gjatë ditëve në vijim, para festave të fundvitit.

Vetë kjo figurë ka konfirmuar për Gazetën Express se ka marrë ftesën për intervistim, gjatë këtyre ditëve.

“E vërtetë është, por ma gjatë nuk mund t’ju tregoj”, ka thënë ai të premten përmes telefonit.

Gazeta Express, për t’iu përmbajtur konfidencialitetit të fazës së hetimeve, do t’i ruajë identitetin e personit në fjalë, sikurse të të gjithë të ftuarve të tjerë, dhe cilësinë për të cilin janë thirrur nga Haga. Po ashtu, nuk do të zbulojë as detaje të tjera nga funksioni i tyre në UÇK.

Menjëherë pas raportimit të Gazetës Express, se në mesin e të thirrurve nga Haga është edhe një ish-komandat i UÇK-së, që pas luftës kishte qenë deputet në Kuvendin e Kosovës, avokati i Rrustem Mustafës, i njohur si Remi, ka konfirmuar se bëhet fjalë për klientin e tij.

Deri më tash numri i atyre që janë thirrur nga Haga, të konfirmuar për Gazetën Express përmes burimeve, ka shkuar në katër. Dy nga ta janë ish-pjesëtarë të thjeshtë të UÇK-së.

Zyra e Prokurorit të Specializuar deri më tani nuk ka komentuar informacionet e siguruara nga Gazeta Express përmes burimeve.

“ZPS nuk jep detaje në hetimet e saj”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Prokurorit të Specializuar të Kosovës, e dërguar të enjten me e-mail, “dhe nuk jep informata për kohën se kur mund të ngrihen aktakuzat e mundshme”.

Dhomat e Specializuara të Kosovës, të njohura si Gjykata Speciale, janë votuar në Kuvend të Kosovës, në gusht të vitit 2015. Përmes ligjit të veçantë, këto Dhoma të Specializuara u themeluan për të gjykuar disa krime të caktuara, të kryera prej 1 janarit 1998 deri më 31 dhjetor 2000, brenda territorit të Kosovës.

Ato u krijuan si pasojë e një raporti të zviceranit Dick Marty, të cilin e paraqiti para Këshillit të Evropës në janar të 2011-s.

Raporti përmban pretendime për krime të rënda, që supozohet t’i ketë kryer UÇK-ja gjatë dhe menjëherë pas luftës së fundit në Kosovës. Të njëjtat supozime u mbështetën edhe në një libër që e kishte shkruar ish-prokurorja e Tribunalit Special, Carla Del Ponte, tri vjet para se Marty ta hartonte raportin.

Në mars të këtij viti, pas katër vjetësh nga themelimi i Gjykatës Speciale, ishte dorëhequr nga detyra prokurori i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, David Schwendiman. Vetëm pak muaj para largimit të tij, ai kishte deklaruar se aktakuzat e Speciales tashmë ishin gati për t’u ngritur.

Detyrën e tij përkohësisht e ka ushtruar Kwai Hong Ip, deri më 11 shtator kur u emërua amerikani Jack Smith. Ai u zgjodh në pozitën e Prokurorit të Specializuar pas një procesi të organizuar nga BE-ja dhe i udhëhequr nga shefja e misionit të EULEX-it.

Loading...