Ballina Intervista Bukuroshja shqiptare rrëfen sesa fitojnë modelet!

Bukuroshja shqiptare rrëfen sesa fitojnë modelet!

0
SHPERNDAJ

Ajo është e qetë, e dashur dhe shumë punëtore. Bëhet fjalë për modelen Anxhela Haka.

Bukuroshja në një intervistë për suplementin “Vip Pages” të “Gazeta Shqiptare” na rrëfen për hapat që ka hedhur në botën e modelingut, për situatat ku e kanë ngatërruar me motrën binjake Lorin, pasionin për muzikën si dhe planet për të ardhmen. Anxhela thotë se gjithçka ka nisur që në fëmijëri, teksa sfilonte para prindërve, për të vazhduar pastaj me konkurset e bukurisë që do i hapnin dyert e agjencive të modës dhe modelingut. Ajo pohon duke qeshur se ngatërresa me Lorin është normale, madje në shumë sfilata veshjet ia kanë dhënë dy herë së motrës. Modelja na tregon se muzikën e ka një prej pasioneve më të mëdha dhe se falë pjesëmarrjes në aktivitet ka arritur të mësohet me publikun. Haka na e shuan kuriozitetin e të qenit gjithë kohën në formë, duke thënë se një regjim i rregullt gjumi dhe ushqimi, pa harruar dhe aktivitetin fizik, si ecjen dhe ushtrimet në palestër janë ato që e ndihmojnë të ketë gjithmonë të njëjtat linja. Sa u përket planeve që ka për të ardhmen, Anxhela është duke pritur të diplomohet, ndërsa për modelingun do i pëlqente të punonte jashtë.

Ç’do të thotë për Anxhelën të qenët në botën e modelingut?

Bota e modelingut për mua ka qenë gjithmonë një pasion, të cilin e kam ndjekur, kam punuar për të dhe në njëfarë mënyre ia kam dalë, sepse kam qenë pjesë e disa seteve fotografike, reklamave televizive dhe shumë sfilatave që organizohen jo vetëm në Tiranë, por edhe në qytete të tjera.

Si ka nisur ky rrugëtim?

Si çdo vajzë e vogël bëja “modën” para mamit dhe babit, shikoja vajza të bukura në ekranet e televizionit dhe thosha: “Dua të bëhem edhe unë kështu në një të ardhme”. Rreth moshës 16 vjeç u zgjodha të marr pjesë te “Miss Turizmi” në Durrës, ku fitova edhe çmimin e dytë. Më pas lajmet e mira erdhën më mbrapa, ku u bëra pjesë e një agjencie.

Lori, përveçse motra juaj, është edhe kolege pune. Ju ngatërrojnë shpesh?

Unë me Lorin nuk jemi ndarë kurrë, kudo kemi marrë pjesë bashkë dhe nga ngjashmëria që kemi me njëra-tjetrën ngatërresa është gjëja më normale. Madje, mbaj mend në një sfilatë që kemi pasur do na zgjidhnin veshjet, dhe motrës i dhanë dy herë veshje ndërsa mua asnjë (qesh).

Cili ka qenë seti fotografik që do të donit ta përsërisnit?

Kam pasur shumë sete dhe secila ka pasur të bukurat, të veçantat e veta, por nëse do të veçoja më të rëndësishmen, është seti fotografik që kam bërë në Milano për një kompani ajrore. Ishte një eksperiencë shumë e bukur si dhe diçka ndryshe, saqë nga veshjet më hyri në qejf të filloja punë si stjuardesë. Por si dihet, e ardhmja është e gjatë përpara.

A ndikon gjendja emocionale kur pozoni për aparatin fotografik?

Sigurisht që ndikon, para çdo seti fotografik duhet të jesh shumë e freskët, e kuruar, e qetë mendërisht që të mund t’ia përcjellësh energjinë tënde aparatit fotografik dhe fotoja të duket po aq e gjallë sa realja, përndryshe asgjë nuk është arritur.

Sa e pasur është një modele?

Në Shqipëri vitet e fundit ka marrë zhvillim bota e modelingut dhe për vajzat e reja, të cilat duan të ndjekin këtë rrugë. Setet e para fotografike janë shpeshherë pa fitim monetar për to, thjesht çështje kënaqësie apo pasioni. Por, kur fillon dhe e kthen dalëngadalë në profesion, vlera rritet, sepse, sigurisht do që puna jote të shpërblehet ashtu siç e meriton, pavarësisht se pagesat në Shqipëri janë të ulëta.

Profesioni juaj krijon më shumë miq apo armiq?

Jam e sigurt që krijon shumë miq, të paktën unë kështu kam bërë. Jam kënaqur në çdo vend që kam marrë pjesë, kam njohur shumë njerëz interesantë, kam takuar personalitete që ndoshta në një profesion tjetër nuk do i kisha takuar. Disa prej tyre i kam miq të mirë, të cilët më ndihmojnë të gjej edhe punë të tjera. Pakënaqësi ka kudo, sprova, teste të ndryshme, por e rëndësishmja është të dish t’i kalosh me sukses dhe të ecësh përpara duke ndjekur rrugën e duhur.

Përveç modelingut, cilat janë pasionet e tjera të Anxhelës?

Përveç modelingut, unë kam shumë pasione të tjera. Muzika është një prej tyre. Kur isha e vogël, kam marrë pjesë në kompeticione të ndryshme dhe kam kënduar në festivale për fëmijë, ku aty u mësova me publikun.

Lorin e shohim të të ndjekë kudo. A debatoni ndonjëherë?

E përmenda edhe më lart që ne nuk jemi ndarë kurrë, jemi mësuar me njëra-tjetrën aq shumë, sa edhe mendimet i parashikojmë kur flasim. Megjithatë, zënkat janë pjesë e pandashme mes motrash, për veshje, për të shkuar diku apo edhe kush do e ngasë makinën (qesh). Por, radha është ajo që na vjen në ndihmë gjithmonë dhe i qetëson gjërat shpejt. Të jap një shembull të vogël: kur na thërrasin për ndonjë punë (foto apo sfilatë) dhe kërkojnë vetëm një binjake, sigurisht që shkon ajo që ka radhën. Prandaj këtë punë e kemi të zgjidhur.

Kush është e llastuara e prindërve, Anxhela apo Lori?

Edhe këtë e kemi me radhë (qesh). Kur përkëdhelet njëra, edhe tjetra pa dyshim. Përtej shakasë, të dyja jemi të llastuarat e prindërve dhe s’ka pasur kurrë dallime mes nesh. Keni zgjedhur që të vazhdoni shkollën e lartë paralelisht, duke bërë edhe punën.

Është lodhur Anxhela nga librat?

Janë dy drejtime shumë të rëndësishme për mua, të cilat nuk mund t’i lë. Shkolla, sigurisht është primare, por meqenëse e kam mundësinë për të ndjekur pasionin tim, lodhjen përpiqem ta kaloj. Dega për të cilën unë studioj, kërkon impenjim, të lexosh shumë libra, detyra të ndryshme, por, gjithsesi ishte zgjedhja ime dhe jam mësuar me këtë rutinë.

Cili është sekreti që je gjithë kohën në formë?

Faleminderit për komplimentin. Një regjim i rregullt gjumi dhe ushqimi të mban gjithmonë në formë, pa dyshim edhe aktiviteti fizik, si ecje, ushtrime në palestër janë pjesë e ditës sime.

Ku e shihni veten në të ardhmen?

Kam shumë plane për të ardhmen, që besoj se mund t’i realizoj me punë dhe përkushtim. Pres të diplomohem së shpejti, ndërsa për modelingun do të më pëlqente të punoja jashtë.

d2_1506498831-4784434qwqwq_1506498776-143813d1_1506498730-6285340

Loading...