Ballina Intervista ​Ramushi s’ka haber për kuzhinë, por është romantik thotë Anita (Video)

​Ramushi s’ka haber për kuzhinë, por është romantik thotë Anita (Video)

0
SHPERNDAJ

Krejt punët i bën vet. Jo se burri i saj nuk dëshiron t’i ndihmojë por thotë se ai nuk ka kohë. Kjo është Anita, bashkëshortja e liderit të AAK-së dhe njërit prej komandantëve më të njohur të UÇK-së Ramush Haradinaj.

Madje prezantuesja e lajmeve në televizionin publik  në një intervistë për KosovaPress tregon se burri i saj nuk i ka gatuar asnjëherë,  ndonëse njëherë e kishte ftuar për drekë,  por që dyshon se ai e ka përgatit vet ushqimin, por pranon se Ramushi është më romantik sesa ajo.

E përballur me shumë vjet në mungesë të bashkëshortit Anita Muçaj është mësuar t’i kryejë punët vet.

“Anita merret me gjithçka, merrem me punë, me familjen, me fëmijët, me obligimet e çdo gruaje, femre, nëne. Unë punoj në televizion po ashtu këtë vit d.m.th. e kemi themeluar edhe një kompani marketingu edhe punojmë edhe aty, kam ligjëruar në kolegjin ‘Iliria’”, tha Muçaj-Haradinaj.

Duke u nisur nga kjo asaj nuk i kujtohet nëse lideri i AAK-së ka gatuar ndonjëherë. Në një drekë e kishte ftuar ai por dyshon se ai krejt atë e ka bërë vet.

“Njëherë më ka ftuar në drekë më ka thonë që ka gatu, por unë tash i kam dyshimet e mia sepse kurrë më nuk është përsërit, kështu që nuk e di a ka më ka gatu ai apo çka ka ndodh me atë drekë”, tha Muçaj.

Ndonëse një djalë fshati dhe për shumë vjet ka jetuar me armë, Ramushi di të jetë edhe romantik. Anita merr shpesh lule nga ai për festa, por jo vetëm.

“Po romantik është, ndoshta edhe më shumë se unë. Për shembull unë në çdo festë, ka 13 vjet edhe kur Ramushi s’ka qenë këtu, ka qenë shumë i kujdesshëm me lulet. I ka shumë për zemër lulet kështu që edhe mua më pëlqejnë edhe është ndoshta moment i ndijshëm ai kur e merr një buqetë me lule.Është shumë i kujdesshëm në raste festash, ndonjëherë edhe për qejf pa ndonjë rast. por vazhdon me qenë edhe sot i kujdesshëm”, tha zonja e parë e AAK-së.

Gjatë jetës së saj zonja Haradinaj kujton një fotografi të cilën thotë se i ka mbetur si kujtimi më i mirë i jetës.  E ajo është fotografia që ajo ka bërë ditën kur në Hagë po ipej vendimi për Ramushin që akuzohej për krime lufte.

“Por unë e kom një fotografi që më pëlqen shumë, aty nuk është Ramushi por këta e mbaj në telefon se është fotografia kur kemi qenë duke e shikuar seancën e lirimit të Ramushit edhe e kemi përjetu shumë mirë edhe s’di, s’ka ndodh më ndonjë moment ku jemi ndje kaq shumë të gëzuar, kaq shumë të lumtur edhe është shumë interesant se lumturia është diçka relative d.m.th. edhe nuk zgjat shumë, por ka momente që mbahen mend edhe është interesant deri në çfarë mase kish fuqi me përjetu lumturinë, e ky ka qenë njëri prej atyre momenteve. Këtu edhe Trimi është më i vogël edhe Gjini edhe Hana”, tha Muçaj.

Për familjen Haradinaj vendi më i preferuar për të kaluar pushimet mbetet Shqipëria.

“Prej kur është kthyer Ramushi prej Hagës që shkojmë në Dhërmi se po mundohem me kujtu, por po kemi shkuar rregullisht në Shqipëri, na pëlqen shumë, mendoj që edhe Shqipëria ka hala kohë edhe ka hala punë për zhvillimin e turizmit por gjithsesi është vendi ynë edhe është mirë”, tha Muçaj.

Vajza nga kryeqyteti e cila para disa vitesh u bë nuse e Gllogjanit tregon se është bukur e vështirë të jesh grua e një politikani edhe pse thotë se është mësuar me këtë.

Por ajo thotë se të jesh grua e një njeriu që merret me politike duhet të jesh shumë e përgjegjshme, vigjilente dhe e vetëdijshme për çdo veprim që e bën dhe kjo është e vështirë.

Anita Muçaj thotë se i ndihmon bashkëshortit të tij në karrierë e sidomos t’i jap këshilla që janë të domosdoshme për një politikan.

“Ne ndihmohemi reciprokisht, unë mundohem të jem aty kurdo që e kërkon nevoja, koha e ka bërë të vetën edhe tash kam edhe obligimet e fëmijëve i kam tre fëmijë, nuk jam tipi i cili patjetër duhet të merr pjesë diku ose patjetër duhet të provoj të ndikoj por mundohet gjithsesi të jap mendimin tim. Nuk  ngurroj të jap mendimin tim, si për të mirë si për të keq, e vlerësoj shumë kam ndoshta më shumë kohë të bëj analiza ngaqë jam edhe në shtëpi shikoj televizor ose jam në zyrë shikoj televizor, lexoj portale, lexoj komente d.m.th. e krijoj opinionin dhe pastaj varësisht prej situatave edhe e jap mendimin tim, njeriu konsideroj që mund të jetë një politikan i mirë vetëm atëherë kur merr mendime nga shumë njerëz, i përpunon pastaj në kokë dhe këshillat janë të domosdoshme”, tha Muçaj.

Çifti Haradinaj kanë dy djem dhe një vajzë, jetojnë në Prishtinë dhe pothuajse cdo fundjavë shkojnë në Gllogjan atje ku i ka prindërit Ramush Haradinaj.

Loading...